Amnistia Penale, Manja: Burgjet janë të mbipopulluar, shumë mbi normën e BE-së
Në Komisionin e Ligjeve, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka prezantuar projektligjin për Amnistinë Penale. Ministri i u shpreh se pritet të përfitojnë rreth 700 persona të dënuar, ndërsa mes arsyeve për hartimin e këtij projektligji, renditi edhe mbipopullimin në burgje.
Manja tha se janë 3150 persona të paraburgosur, ndërsa theksoi se miratimi i kësaj amnistie është e domosdoshme për një menaxhim siç duhet të sistemit.
Ministri u kujdes të theksonte ne nga kjo amnisti nuk përfitojnë personat e dënuar nga Gjykata e Posaçme.
“Është një projektligj i hartuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Pret të marrë votën e deputetëve dhe ka për qëllim të përjashtojë nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale tërësisht ose pjesërisht të gjithë personat e dënuar dhe të paraburgosur që aktualisht janë duke vuajtur dënimin. Ne kemi 5818 persona në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit, nga të cilët 3150 janë të paraburgosur. Po t’i referohemi personave të dënuar, 188 persona janë dënuar me burgim të përjetshëm, në këto shifra që thash nuk përfshihen personat që janë aktualisht në shërbim prove, por edhe në shërbim prove kemi rreth 11290 persona. Kjo është gjendja që kemi sot në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Miratimi i kësaj amnistie në Kuvend është një masë e domosdoshme që na krijon mundësi për një menaxhim si duhet të sistemit sepse jemi në një gjendje mbipopullim. Nëse miratohet kjo amnisti, përfitojnë rreth 700 persona të dënuar dhe 2500 që janë në shërbim prove. Nga kjo amnisti janë përjashtuar ata që janë dënuar nga GJKKO”, tha Manja.
Sipas Manjës, numri i të paraburgosurve tejkalon edhe normën e BE-së, sipas së cilës shifra e tyre duhet të jetë maksimumi 30% e numrit të të dënuarve në institucion.
“Sipas normave të BE, numri të paraburgosurve duhet të jetë 25-30% maksimumi i numrit të të dënuarve në institucion po të marrim maksimumin 30%, nëse duhej të kishim 660 persona të paraburgosur përkundrejt 2204 personave të dënuar që kemi. Ky është dhe një nga shqetësimet që na u dha javën e kaluar edhe nga raporti i CPT që monitoron burgjet tona”, theksoi Ministri.