Amnistia Penale, Manja dorëzon në Kryeministri projektligjin e konsultuar me SPAK, KLGJ dhe Prokurorinë

Manja 30

Manja 30

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dorëzoi të enjten në qeveri projektin përfundimtar për Amnistinë Penale. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Manja, i cili u shpreh se me këtë projektligj rritet edhe numri i përfituesve nga amnistia.

Ministria e Drejtësisë nga ana tjetër njoftoi se, është dorëzuar sot në Kryeministri versioni përfundimtar i amnistisë, ku janë reflektuar dhe rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme. Në versionin përfundimtar preken vendimet deri në datën 30.11.2023, duke e rritur numrin e përfituesve në rreth 620 të dënuar.

“Kemi reflektuar rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme, duke e bërë një amnisti dhe më të plotë, nga e cila do të përfitojnë 620 të dënuar”, deklaroi ministri Manja.

Aministia

Në prag të festave të fundvitit, ministria e Drejtësisë ka propozuar një amnisti për të burogsurit që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare. Nga projektligji për aministinë përfitojnë afërsisht 620 të dënuar, ndërkohë që pushohet ndjekja penale për pjesën më të madhe të kundervajteve penale që ligji parashikon deri në 2 vjet dënim.

Paralelisht, përfitojnë nga 1 vit ulje dënimi edhe të gjithë meshkujt, si dhe 1.5 vite burg për të gjitha femrat dhe të miturit, që nuk përfitojnë amnisti si të burgosurit e tjerë, me përjashtim të të dënuarve me burgim të përjetshëm, të dënuarve për vrasje dhe që janë subjekt i SPAK-ut.

Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji, sipas ministrisë së Drejtësisë, është që të përjashtojë nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale, tërësisht ose pjesërisht, të gjithë personat që plotësojnë kriteret. Dhënia e amnistisë, sipas këtij ligji, udhëhiqet nga parimi i humanizmit; arritja e qëllimit të dënimit; rrezikshmëria e ulët e personave që amnistohen; edukimi dhe rehabilitimi; mbrojtja e interesit publik; dhënia e mundësisë së integrimit më të lehtë dhe më të shpejtë të të dënuarve të mitur dhe femra; rritja e efiçencës në sistemin e drejtësisë; si dhe mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës.

Kriteret për përfitimin e amnistisë

Projektligji parashikon që përjashtohen nga vuajtja e dënimit personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.06.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. 

“Përjashtohen nga vuajtja e dënimit personat femra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.06.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.  Personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.  Personat femra, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet. Personat e dënuar femra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç. Personat e dënuar meshkuj, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 65 vjeç. Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.”, thuhet në projektligj.

Amnistia e propozuar parashikon se të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, ose, edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e amnistisë sipas këtij neni, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit për shkak të kritereve ndaluese të përcaktuara por u zbritet 1 vit e gjysëm për personat e dënuar, gra, dhe të miturve; 1 vit për personat e dënuar, burra.

Ndalohen për të përfituar amnisti

Pavarësisht nga parashikimet e këtij ligji, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit personat e dënuar, për:  krime kundër njerëzimit; vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit; vepra penale kundër lirisë së personit; vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit; vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes; vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve; veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve; vepra penale kundër mjedisit; krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues; krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera; vepra me qëllime terroriste; krime kundër autoritetit të shtetit; vepra penale kundër drejtësisë; vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.

Kushtet për dhënien e amnistisë nga ndjekja penale

Projektligji për amnistinë parashikon se përjashtohen nga ndjekja penale si dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 30.06.2023 për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet, ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë.

Nuk përfitojnë nga ky nen personat të cilët i janë shmangur ndjekjes penale, si dhe subjektet që mbartin detyrimin për të deklaruar sipas ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publik”, si dhe subjektet e posaçme, akuzat penale ndaj të cilëve gjykohen nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.