Amnistia penale, Manja: Pranuam amendamentet e opozitës, përfitojnë edhe të dënuarit për vepra në protesta
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot, gjatë diskutimit në komisionin e Ligjeve të projektligjit “Për amnistinë penale”, se janë pranuar amendamentet e propozuara nga deputetët e PD-së Enkelejd Alibeaj dhe Bledjon Nallbati mbi amnistinë penale.
“Propozimi i parë i Alibeajt ka të bëjë me datën e amnistisë të personave të dënuar apo në ndjekje penale gjatë tubimeve apo protestave politike të organizuar në periudhën 1 tetor 2028 deri në 31 dhjetor 2020. Ky propozim është pranuar, por jo duke përcaktuar limitin kohor. Ky propozim është zgjeruar deri në datën 31 janar 2024”, u shpreh Manja.
Ministri theksoi se “propozimi është pranuar për veprat që lidhen me tubimet dhe protestat dhe këtu bëhet fjalë për veprat penale bazike që lidhen me organizimet e protestave, vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike etj., por jo për personat e armatosur në protestë se është krim që dënohet me burgim”.
“Nuk kemi pranuar veprat penale goditje për shkak të detyrës që e kemi kriter ndalues për të gjitha rastet. Duke nisur nga parimet e amnistisë ne nuk e kemi pranuar. Po ashtu edhe shkatërrimin e pronës me zjarr, apo në tërësi shkatërrimin e pronës nuk e kemi pranuar”, shtoi Manja.
Ministri theksoi se “një nga parimet e amnistisë është edhe mbrojtja e interesit publik dhe eficienca e sistemit të drejtësisë dhe për këto vepra ne kemi mbajtur linjën që kishim”.
“Është pranuar edhe një amendament tjetër i deputetit Bledjon Nallbati, duke mbajtur në konsideratë barazinë dhe kjo ka të bëjë për zbritjen e dënimit me 1 vit për burrat dhe një vit e gjysmë për gratë dhe vajzat. Sugjerimi dhe propozimi na është dukur në përputhje me parimet dhe qëllimet që ka ky ligj amnistie. Po ashtu kishte propozim për të rritur kategorinë përfituese në nenin 3 të projektligjit nga ata që janë dënuar me 3 vjet të bëhet në 4 vjet për burrat dhe nga të dënuarat me 4 vjet, të shkojë në 5 vjet për gratë”, u shpreh ministri.
Sipas tij, “rritja e masës së dënimit për personat e dënuar i jep mundësi një numri më të madh grash dhe të miturish të përftojnë nga amnistia dhe rrit kategorinë përfituese te burrat”.