AMP bashkëpunim më të ngushtë me publikun: Denonconi çdo rast të abuzimit të Policisë së Shtetit
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore zhvilloi një fushatë promovuese në Gjirokastër, Përmet dhe Tepelenë, në kuadër të bashkëpunimit me publikun për zbatimin e ligjit me qëllim vetëpastrimin e Policisë së Shtetit.
Përfaqësuesit e AMP-së, të shoqëruar nga Këshilltari i Lartë për Llogaridhënien Policore nga Programi ICITAP në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Z. Rick Bates, zhvilluan takime në Universitetin “Eqrem Çabej”, në shkollat e mesme “Siri Shapllo”, “Sami Frashëri” dhe “Abaz Shehu”. Gjithashtu, fushata sensibilizuese u realizua edhe në pikat kufitare “Kakavijë” dhe “Tre Urat”, ku u informua mbi misionin e AMP-së, objektin e veprimtarisë dhe mënyrat e kontaktit të agjencisë.
Gjatë këtyre takimeve me studentët dhe nxënësit, Z. Bates shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për AMP-në dhe vlerësoi agjencinë për rritjen e bashkëpunimit me publikun.
AMP-ja mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit Zjarrfikës, duke telefonuar falas në numrin 08009090.