Anëtarësimi i Kosovës, nis diskutimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
Ka nisur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës. Deputetja greke, Dora Bakoyannis e cila ka përpiluar raportin, u shpreh me punën për përgatitjen e raportit është konfirmuar se Kosova është demokraci funksionale, duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave që ta ftojnë të bëhet anëtare e Këshillit të Europës. Megjithatë ajo theksoi se janë vërejtur edhe disa mangësi.
“Juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, u shpreh Bakoyannis, duke shtuar se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo duhet të mbetet kompetencë e shteteve.
Lidhur me Asociacionit e komunave me shumicë Bakoyannis u shpreh se kjo nuk është çështje në duart e Këshillit të Evropës.
“Shpresoj që sot Asambleja Parlamentare do ta nënvizojë nevojën për t’i sjellë nën ombrellën demokratike të KiE, 2 milionë europianë të tjerë, për t’i mbrojtur ata nga shkeljet dhe për të mos lejuar rrezikimin e jetës së tyre”, përfundoi raportuesja.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë në fund mbi anëtarësimin ose jo të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ky votim i sotëm, është kundërshtuar gjatë javëve të fundit nga Serbia, ku Presidenti serb Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic) urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm pune për të penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Kosova paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022 pak kohë pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë, pas agresionit në Ukrainë.