Anija hapësinore amerikane niset drejt Hënës pas 50 vitesh por has probleme
Anija amerikane e hapësirës “Peregrine” u nis drejt hapësirës të hënën, për herë të parë 50 vjet pas uljes së njeriut në Hënë, duke nisur kështu një garë mes kompanive private për të dërguar objekte në Hënë.
Por rreth shtatë orë pas ngritjes, kompania “Astrobotics” njoftoi se paneli diellor i anijes nuk po pozicionohej si duhet për të përdorur energjinë diellore. Zyrtarët e kompanisë thanë se janë duke hetuar problemin.
Anija hapësinore e kompanisë nga Pitsburgu u nis për në Hënë përmes raketës së re “Vulcan”. Raketa u lëshua nga Florida para agimit, ndërkohë që anija, ishte planifikuar të ulej në Hënë më 23 shkurt, përmes një trajektoreje të tërthortë.
Kompania “Astrobotics” synon të bëhet biznesi i parë privat që ulet me sukses në Hënën, një arritje që deri tani është realizuar vetëm nga katër shtete.
Një kompani tjetër nga Hjustoni, ndërkohë ka përgatitur për fluturim një anije tjetër hapësinore dhe mund të ulet në Hënë përpara anijes “Peregrine”, duke përshkruar një trajektore më të drejtpërdrejtë.
Administrata Kombëtare Amerikane e Aeronautikës dhe Hapësirës, NASA, u ka dhënë këtyre dy kompanive miliona dollarë për të ndërtuar anijet e tyre hapësinore dhe për t’i dërguar në Hënë. Agjencia e hapësirës dëshiron që anijet kozmike të kompanive private të hulumtojnë paraprakisht vendin e uljes në Hënë, para dërgimit në të të astronautëve dhe që të realizojnë eksperimente teknologjike dhe shkencore për NASA-n, shtete tjera dhe universitete, si dhe duke u angazhuar me porosi të ndryshme për klientë të tjerë. Kontrata e kompanisë “Astrobotics” për anijen kozmike “Peregrine” ishte 108 milionë dollarë.
Hera e fundit kur Shtetet e Bashkuara nisën një mision në Hënë ishte në dhjetor të vitit 1972. Astronautët Gene Cernan dhe Harrison Schmitt me misionin “Apollo 17” u bënë personat e 11 dhe 12 që ecën në Hënë, duke përmbyllur një epokë që vazhdon të shihet si maja e arritjeve të NASA-s./VOA/