Ankimoi përjashtimin 10-ditor, Vokshi: Vendim nul. Nesër do jemi në parlament
Deputetet demokrate Albana Vokshi dhe Elda Hoti, të përjashtuara nga Parlamenti prej seancës së fundit, kanë deklaruar se do të jenë sërish aty edhe pse afati 10-ditor i masës nuk ka skaduar.
Dy deputetet i kishin bërë kërkesë byrosë së Kuvendit ta shfuqizojë vendimin e Sekretariatit, por mbledhja e së mërkurës u mbajt me tensione, pasi dënimi mbeti në fuqi për shkak të mungesës së kuorumit për ta marrë kërkesën në shqyrtim.
“Në fakt e patë që në një mbledhje të stisur, pasi hoqën Gardën, sepse e kishin vënë fillimisht, mbasi ju futën juve medieve, e dështuan me sukses duke u dhënë urdhër edhe deputetëve të tyre – një urdhër direkt nga Edi Rama dhe Lindita Nikolla. Mendoni pak se ku ka arritur parlamenti, ku ka arritur parlamentarizmi. Mirë që të dënojnë pa ndjekur asnjë procedurë, asnjë afat, në shkelje totale të neneve 64, 65 të ndryshuar, nuk të japin as mundësinë të vish e të kundërshtosh me fakte e argumente.
Pas deputetëve të akuzuar dhe të dënuar më 1945, ky është rasti i dytë në historinë e Shqipërisë, në historinë e parlamentit, kur vetë parlamenti dënon përfaqësuesit e popullit. Pasi u kanë hequr të drejtën e fjalës, të replikës, të procedurës, të dëgjesave, u kanë hequr të drejtën e interpelancave, komisioneve hetimore, kanë shkelur të gjitha të drejtat kushtetuese të deputetëve si përfaqësues të popullit, i kanë përzënë, i kanë arrestuar, si në rastin e z. Sali Berisha, deputet me imunitet, që sot gjendet i arrestuar politikisht duke shmangur parlamentin dhe duke rrëmbyer kompetencat, çfarë u ka mbetur më për të shkuar te enverizmi total. Asgjë. I kanë mbetur vetëm të eliminojnë fizikisht kundërshtarët politikë. Po tentojnë të eliminojnë pluralizmin, parlamentarizmin, opozitën parlamentare. Por një mesazh kam për Edi Ramën, Lindita Nikollën dhe gjithë deputetët e mazhorancës: nuk do ia arrini qëllimit.
Vendimi për përjashtimin tonë shkel çdo nen, është nul, është i pazbatueshëm. Për aq kohë sa byroja nuk mori sot vendim, ky vendim është i rrëzuar, ndaj unë me kolegen nesër do të jemi në seancë plenare,” u shpreh znj. Vokshi.
Partia Socialiste i kërkoi javën e kaluar Sekretariatit të Etikës marrjen e masës disiplinore ndaj dy deputeteve të PD-së, pjesë e Rithemelimit, pasi i hoqën mikrofonin deputetit Arbi Agalliu, pjesë e grupit të PD-së së Lulzim Bashës, ndërsa po kërkohej interpelancë me kryeministrin Edi Rama.