Ankimuan masat e sigurisë, Meta e Kryemadhi në Apelin e GJKKO
Në Gjykatën e Posaçme të Apelit zhvillohet këtë të martë seanca për shqyrtimin e ankimit të bërë nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
E paraqitur në Apelin e GJKKO, Kryemadhi u tha gazetarëve “u mësuam tani” ndërsa ata i kërkuan koment për paraqitjen e saj sot.
Ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është me masë sigurie arrest në burg, ndërsa Kryemadhi me masë detyrim paraqitje. Të dy i kanë ankimuar masat e sigurisë të vendosura ndaj tyre, duke kërkuar lirinë.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në të shkuarën janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Prokurorët e Posaçëm argumentojnë se hetimet treguan se ata kishin përdorur pushtetin për favorizime të njerëzve të tyre dhe kishin marrë prej tyre vlera monetare. /j.p/