Apeli i jep vulën Rithemelimit të Berishës, Noka: Të na bashkohen edhe zërat kundër në PD
Gjykata e Apelit ka vendosur sot që vulën e Partisë Demokratike t’ia lërë grupimit të Rithemelimit të ish-kryeministrit Berisha i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie ndërsa ka rrëzuar ankimin e grupit politik të drejtuar nga Lulzim Bashës.
Duke folur pas vendimit të gjykatës, deputeti demokrat Flamur Noka ka ftuar edhe kundërshtarët brenda radhëve të demokratëve që të bashkohen me Rithemelimin, “nëse e ndiejnë veten demokratë dhe në opozitë me narkoregjimin e Edi Ramës”, siç tha ai.
“Kjo thirrje vlen për çdo demokrat sigurisht jo për ata që e ndiejnë veten krah Edi Ramës. Çdokush që e ndjen veten demokrat dhe në opozitë me këtë narkoregjim e ka derën e PD-së të hapur dhe është i mirëpritur në shtëpinë e tij. Kjo ditë nuk është për të festuar, as pë triumf. Është një ditë e vërtetës ku demokratëve iu bëhet thirrje të jenë të gjithë bashkë kundër narkoregjimit.
Narkoregjimi duhet shembur që Shqipëria të udhëtojë në Europë. Narkoregjimi është pengesa e vetme e udhëtimit evropian të Shqipërisë. Dhe na bie barra t’i prijmë kësaj beteje.
Unë në emër të gjithë kolegëve iu bëj thirrje çdo demokrati të gënjyer, të mashtruar dhe të keqinformuar, kthehuni në shtëpinë tuaj se shtëpia juaj ka vend për çdo qytetar të këtij vendi që është kundër narkoregjimit. I bëjmë thirrje çdokujt që është kundërshtar i regjimit, nuk i bëjmë thirrje kurrë atij që është shërbëtor i këtij narkoregjimi. Në këtë oaz padrejtësish në këtë vend, ka edhe ndonjë ishull që akoma integriteti i udhëheq”, u shpreh Noka.