Apeli i mjekes Çeliku: Mamografia shpëton jetë, kontrolle edhe pas moshës 40 vjeçe
Shefja e Spitalit Onkologjik në Qendrën Universitare “Nënë Tereza”, Dr. Silvana Çeliku, deklaroi sot se vitet e fundit kemi 720 raste të reja në vit me kancer të gjirit tek gratë.
Në një intervistë Çeliku theksoi se “në 10 vjeçarin e fundit kemi rritje me 20% të rasteve të kancerit të gjirit tek gratë. Në këtë periudhë 10 vjeçare nga 500 raste, vitet e fundit kemi 720 raste të reja në vit. Kjo edhe sipas regjistrit të kancerit që është i vendosur në Institutin e Shëndetit Publik, ku mblidhen të dhëna jo vetëm nga shërbimi ynë, por nga të gjitha spitalet jopublike të vendit”.
Sipas saj, ashtu sikurse Evropa, por edhe bota ballafaqohet me rritje të shifrave çdo vit me të sëmurë të kancerit të gjirit që fatkeqësisht preken jo vetëm femrat, por edhe meshkujt megjithëse me një përqindje shumë të vogël.
“Ky është një trend rritës fatkeqësisht në të gjithë botën, por rritja e numrit ka të bëjë jo vetëm me shtimin e numrit të rasteve, por edhe me ndërgjegjësimin e grave se sa më shumë ato të kontrollohen, sa më shumë të shkojnë tek mjeku specialist aq më shumë gra do të kenë mundësi që ta kapin sëmundjen në fazën e hershme të tyre. Gjë që do të çojë edhe në rritjen numrit të rasteve që paraqiten për herë të parë me kancer gjiri”, nënvizon Çeliku.
Sipas saj, programi kombëtar i kancerit që ka disa vjet që ka filluar në vendin tonë dhe po jep frytet e tij.
Sa i përket ndërgjegjësimit të grave për kryerjen e mamografive për diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundje, Çeliku tha se “depistimi, parandalimi nëpërmjet ekzaminimeve të ndryshme qoftë nëpërmjet ekografive ku gratë duhet të paraqiten pranë qendrave e specialistëve qoftë edhe përmes mamografive fikse dhe lëvizëse, bën të mundur që patjetër të kapen raste sa më të hershme dhe të trajtohen sa më shpejt, pasi parandalimi është shumë më mirë sesa një trajtim i një gruaje me kancer gjiri”.
“Kanceri i gjirit ka pasoja jo vetëm ekonomike, por edhe pasoja psikologjike për pacienten familjarët, por edhe për mjekët”, shtoi Çeliku.
Drejtoresha e Spitalit Onkologjik, Çeliku i bën apel të gjitha vajzave dhe grave të kryejnë rregullisht kontrollet për parandalimin e kësaj sëmundje.
“Në këto ditë të tetorit rozë që i është dedikuar pikërisht luftës së kancerit të gjirit apeli më i mirë duhet drejtuar ndaj të gjitha grave, nënave dhe motrave që pas moshës 20 vjeçare duhet të kujdesen për gjirin, shëndetin e tyre, duhet të shkojnë të mjeku edhe kur nuk kanë asnjë shenjë, të bëjnë një ekografi të thjeshtë. Edhe pas 40 vjeçe të bëjnë mamografi sepse kështu ato do të shpëtojnë jetën”, theksoi Çeliku.
Qëllimi i “Tetorit rozë” është ndërgjegjësimi i sa më shumë grave me moshë mbi 40 vjeç që të kryejnë kontrollin periodik të gjirit dhe ekzaminimin përmes mamografisë.
Gjatë këtij muaji orari i funksionimit të ekzaminimit të mamografisë është 08:00 me 18:00 në të gjitha kabinetet e mamografisë dhe mamografitë e lëvizshme, si dhe të shtunën deri në orën 14:00.