Apeli: Tonin Gjuraj rektor!, rrëzohet me rezultatin 5- 0 ankimimi i kandidates Këçira
Zyrtarisht dhe përfundimisht, saga e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese të universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ka marrë fund në orët e para të mbrëmjes të së martës. Ka qenë Komisioni i Apelimit, ai që ka mbyllur një proces votimi dhe shpallje rezultati, i cili nisi me 21 qershor 2024 si në të gjithë Shqipërinë për universitetet publike.
Pa praninë e mediave, Komisioni mori në shqyrtim ankimimin e kandidates humbëse, rektores së komanduar prof. Dr. Rajmonda Këçira. Vetë e interesuara, ka folur shkurt para komisionit, duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve, pasi sipas saj, asnjë nga kandidatët nuk ka marrë me 21 qershor 50%+1 të votave. Kandidati fitues, prof. Dr. Tonin Gjuraj, ka kërkuar nga Komisioni i Apelimit të konfirmojë vendimin e dhënë nga Komisioni Institucional i Zgjedhjeve- KIZ, i cili ishte i bazuar në ligjin për arsimin e lartë, rregulloren e zgjedhjeve në nivel ministrie dhe universiteti.
Pasi ka dëgjuar palët, Komisioni është tërhequr për të marrë vendimin. Në rikthim, me votim, me rezultatin 5- 0, është rrëzuar ankimimi i kandidates Këçira, duke njohur vendimin e KIZ dhe shpallur përfundimisht rektor të universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës prof. Dr. Tonin Gjuraj.
Me këtë vendim, i hapet rruga procedurave vijuese, të cilat kulmojnë me dërgimin e emrit të rektorit fitues nga Ministria e Arsimit në presidencë dhe dekretimin e prof. Dr. Tonin Gjuraj si rektor për një mandat 4 vjeçar.