Apeli ul për 4 vjet dënimin për ish pjestarin e UÇK Salih Mustafa
Gjykata e Apelit në Speciale ka vendosur për uljen e dënimit për katër vjet, nga 26 në 22 vjet burgim, për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, njofton RTK. Apeli ka ulur dënimin për Mustafën në disa prej veprave për të cilat akuzohet.
Kryetarja e trupit gjykues Michele Picar, ka thënë se Paneli i Apelit ka konstatuar se trupi gjykues ka zbatuar kriteret e sakta për vlerësimin e ekzistencës së konfliktit të armatosur jo-ndërkombëtar në Kosovë.
Sipas saj, Mustafa nuk ka arritur të vërtetoj se trupi gjykues gaboi në konstatimin se nga maji i vitit 1998 UÇK-ja kishte karakteristika të mjaftueshme të një grupi të armatosur të organizuar që ishte në gjendje të përfshihet në një konflikt të armatosur.
“Paneli i Apelit rrëzon kundërshtimet e zotit Mustafa”, ka thënë Michele Picar, duke theksuar se Paneli i Apelit i caktoi 22 vjet burgim dhe anuloi dënimin e njësuar me 26 vjet për Sali Mustafën, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.
Mustafa u arrestua nga Specialja më 24 shtator 2020. Trupi gjykues i Themelores së Speciales më 16 dhjetor 2022 e shpalli atë fajtor për krimet e lufte përfshirë ndalimin arbitrar, torturën dhe një vrasje të paligjshme duke e dënuar me 26 vjet burgim.
( Sipas RTK )