Aplikimet për azil në vitin 2023 në nivelin më të lartë që nga viti 2016
Vendet e Bashkimit Evropian kanë marrë këtë vit më shumë se 800 mijë aplikime për azil, shifra më e lartë që nga viti 2016.
Sipas informacionit të siguruar nga media gjermane “Welt”, bazuar në të dhënat e Agjencisë së BE-së për Azilin, shifrat ka të ngjarë të arrijnë rekordin e 1 milion aplikimeve.
Në total, 801,459 kërkesa për azil u paraqitën në 29 shtete midis fillimit të vitit dhe tetorit – tashmë shifra më e lartë për këtë periudhë 10-mujore që nga viti 2016.
Rriten aplikimet në vendet baltike, ulet numri në Danimarkë dhe Austri
Aplikimet për azil u rritën më shumë në Letoni (me 168%) dhe Estoni (me 119%), gjë që mund të shpjegohet me rritjen e emigracionit të parregullt nga Bjellorusia.
Gjermania renditet e treta me një rritje prej 74% të numrit të aplikimeve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Franca nga ana tjetër pati një rritje në përqindje prej 37%, gjysma e Gjermanisë.
Rënia më e madhe u regjistrua në Danimarkë (rënie me 56%), Maltë (rënie me 54%), Qipro (rënie me 52%) dhe Austri (rënie me 41%).
Vendi me kërkesat më të pakta për azil deri më tani këtë vit ishte Hungaria, me vetëm 26 aplikime gjithsej që nga janari.
Nga janë azilkërkuesit?
Deri më tani, shumica e aplikantëve në vendet e BE-së, Norvegjisë dhe Zvicrës vijnë nga Siria, Afganistani dhe Turqia. Aplikimet nga shtetasit turq patën një rritje të përgjithshme prej 102%.
Në Gjermani pothuajse çdo kërkesë e tretë për azil u paraqit nga një qytetar sirian (27%), nga emigrantët nga Afganistani (17%) dhe më pas Turqia (16%).
Ndërkaq, numri i emigrantëve që erdhën në Itali nga shtetit i Malit u rrit me 733% apo 4.968 njerëz, ndërsa aplikimet nga qytetarët sudanezë në Itali u rritën me 450% në 4.000.
BE ka njoftuar se po planifikon të veprojë ndaj ardhjeve të parregullta të emigrantëve duke shtrënguar masat e sigurisë në kufijtë e saj të jashtëm, siç ka bërë në Sllovaki.
Ndërkohë Komisioneri i Lartë i UNHCR (Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët), Filipo Grandi (o. Filippo) ndërkohë u ka bërë thirrje vendeve të respektojnë të drejtat e emigrantëve që ikin nga konflikti ose persekutimi, siç garantohet në Konventën e Gjenevës për Refugjatët të vitit 1951.