“Apneja e gjumit, sëmundje serioze”, mjekja ORL: Ja individët më të prirë për ta pasur
Më shumë se 930 milionë të rritur në gjithë botën vlerësohet se vuajnë nga apneja apo bllokimi disa herë i frymëmarrjes gjatë gjumit.
Apnea vjen nga fjala e vjetër latine që do të thotë “pa frymë”, pra apneja e gjumit nënkupton ndërprerjen disa herë të frymëmarrjes disa sekonda deri në disa minuta.
Shpeshtësia e ndërprerjes mund të jetë e ulët në disa individë, ndërsa për pacientët obezë ndërprerja mund të shkojë deri në 18–20 herë gjatë ciklit të natës.
“Në shkencën e sotme çdo gjë është gjenetike. Meshkujt preken më shpesh nga apnea. Në familjet që janë të shkurtër, me bark, qafëshkurtër, këto të dhëna anatomike e shtojnë apnenë e gjumit,” tregoi Dr. Klodiana Zaharia, otorinolaringologe, në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH.
Ka disa shkaqe kryesore për apnenë dhe pasoja më e dukshme e apnesë ditën tjetër është prishja e humorit te individi i prekur.
“Individët janë të palumtur kur zgjohen në mëngjes, të acaruar, nervozë, sepse truri gjatë natës nuk është ngopur me gjumë, nuk ka ndodhur procesi i oksigjenimit. Unë kam pasur pacientë që kishin frikë të binin në gjumë të thellë, e kalonin në një pozicion gjysmëndenjur në divan dhe të nesërmen mund të kishin ankth, depresion, prishje të humorit.
Ka apne qendrore, me të cilën merret mjeku neurolog, dhe apne periferike si pasojë e ngushtimit mekanik të rrugëve të frymëmarrjes, pra nga hunda, fyti dhe mushkëria ka një pengesë ku kalon ajri. Te fëmijët e vegjël gjithmonë janë bajamet dhe mishi i huaj në hundë, kurse tek të rriturit alkooli, duhanpirja, obeziteti, jeta sedentare, individët që janë me qafë të shkurtër dhe të shëndoshë,” tha Dr. Zaharia.
Te pacientët me apne, gërhitja është ndër shenjat e para si shfaqet. Doktoresha shtoi se marrja frymë me hundë dhe nxjerrja e ajrit po me hundë është mënyra më e mirë e frymëmarrjes.
“Imagjinoje trupin e një individi që është 1 apo 2 minuta pa oksigjen. Në zemrën dhe trurin e tij nuk shkon oksigjen dhe prandaj këta pacientë mund të diagnostikohen me kardiopati, me probleme të zemrës, të trurit, sepse shtimi i frekuencës së ndërprerjes së gjumit gjatë natës fillon të afektojë të gjitha organet, më së pari zemrën dhe trurin,” deklaroi Dr Zaharia.