Arben Ahmetajt iu dogj mandati, Kuvendi i drejtohet KQZ-së. Ja dy emrat që mund ta zëvendësojnë
Kuvendi ka vendosur në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për përfundimin e mandatit të Arben Ahmetajt, i cili ndodhet në arrati prej më shumë se 6 muajsh pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare për aferën e incineratorëve.
Ahmetaj humbi më 6 janar 2024, mandatin e deputetit, pas një mungese 6-mujore në Kuvend dhe sipas Kushtetutës, mandati i deputetit ndërpritet menjëherë nëse për 6 muaj nuk merr pjesë në jetën parlamentare.
Në këtë mënyrë Kuvendi ka konstatuar pavlefshmërinë e mandatit duke iu drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zëvendësim, bazuar në rezultatet e arritura në zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Kuvendi i Shqipërisë, në bazë të shkronjës “d” të gikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Rregullores së Kuvendit, Ju njofton mbarimin përpara afatit kushtetues të mandatit të deputetit të PS-së Arben Ahmetaj, për shkak të mungesës së tij pa arsye për mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Kjo për arsye se seanca e fundit plenare ku deputeti Arben Ahmetaj ka marrë pjesë është data 6 korrik 2023.
Sa më sipër, në mbështetje të nenit 164, pika 1, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”. Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin ligjor për të njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e vakancës”, shpjegohet në shkresën e Kuvendit depozituar në KQZ.
Nëse i referohemi listës së rezultateve të arritura në zgjedhje pas Arben Ahmetajt vjen Dallandyshe Bici me 4.977 vota dhe nëse ajo nuk do të pranojë, pas saj renditet Plarent Ndreca me 4.008 vota.
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj akuzohet nga SPAK për korrupsion për aferën e incineratorëve, por vendndodhja e tij nuk dihet, pasi rezulton të jetë larguar nga Shqipëria.