Arben Taravari shpall kandidaturën për president të Maqedonisë së Veriut
Arben Taravari, kryetari i partisë opozitare “Aleanca për Shqiptarët”, shpalli të enjten kandidaturën e tij për president të Maqedonisë Veriore.
Gjatë një vizite në Gostivar ku shërben si kryekomunar, z. Taravari tha se ka ardhur koha për një president shqiptar me atribute të plota. Kandidatura e tij mbështetet edhe nga blloku opozitar shqiptar, që sfidon partinë ish-aleate në koalicionin qeverisës Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po ashtu e ka përkrahur politikanin 51-vjeçar, ish-ministër i Shëndetësisë.
“Unë besoj se kjo ditë është ditë e duhur për t’ia filluar. Jam i sigurt në përkrahjen tuaj. Pres me respekt votën e çdonjërit prej jush. Vendit i ka ardhur koha që të ketë një president shqiptar, por jo teknikisht. Ndryshimi ka filluar dhe kjo tani po shihet,” u shpreh z. Taravari.
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 24 prill dhe kandidatët që nuk marrin të paktën 50 për qind të votës popullore kalojnë në balotazh më 8 maj, raund që do të përkojë edhe me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, nuk e ka konfirmuar a do të garojë për një mandat të dytë presidencial pas atij që fitoi në vitin 2019.
Socialdemokratët në pushtet dhe BDI-ja ende nuk kanë dalë me një kandidat të vetin, ndërsa VMRO-DPMNE-ja në opozitë pritet ta bëjë shpalljen në konventën e partisë më 2 mars. /BI, Dukagjini