Argjinaturat “i merr lumi”/ Duhet të mbrojnë nga përmbytjet disa zona problematike të Shkodrës
Reshjet që përfshinë këto ditë rajonin e Shkodrës kanë sjellë fryerje të lumenjve Drin dhe Bunë. Kjo situatë ka rikthyer edhe një herë vëmendjen tek zonat e Nënshkodrës një pjesë e të cilave janë të rrezikuara për shkak dëmtimit ndër vite të disa prej argjinaturave.
RTSH Shkodra bëri një vëzhgim në terren për të parë nga afër situatën që kanë krijuar reshjet e po ashtu gjendjen e argjinaturave ku një pjesë e argjinaturës së Darragjatit në njësinë administrative Dajç, vijon të jetë e shembur nga uji dhe dalëngadalë po rrezikon që të shembet e gjitha.
Në këtë argjinaturë janë investuar afro 200 milion lekë, por në vetëm pak vite uji e ka dëmtuar në shumë pjesë. Kjo pikë është më e rëndësishmja në zonën e Nëshkodrës për të parandaluar rrezikun e përmbytjeve, pasi ketu përqendrohet përplasja e parë dhe më e rënda e ujrave të Bunës me brigjet e Dajçit.
Ndërkohë , argjinatura e lumit Kir, e cila shërben për të mbrojtur nga përmbytjet fshatrat Bardhaj, Kuç e Vukatanë po dëmtohet cdo ditë , jo vetëm nga cilësia e dobët e punimeve që është bërë , por edhe nga dora e njerëzve të papërgjegjshëm.
Janë mbi 100 familje që banojnë në të dy anët e përroit të Oblikës në njësinë administrative të Anës së Malit. Mirëpo rreziku është evident kur po futemi në stinën e dimrit pasi shtrati i përroit i ndihmuar edhe nga ndërhyrjet e bëra pa kriter ka pësuar devijime dhe bashkë me të dhe argjinatura dhe çarja e plotë e saj, do të sillte pasoja të paparashikueshme. Sikur të mos mjaftonte dëmtimi, në argjinaturën ku kaloi përroi i fshatit hidhen çdo ditë sasi të mëdha mbeturinash dhe inertesh.
Përballë kësaj situate institucionet përgjegjëse tregohen indiferente edhe pse e dinë që dëmet që mund t’i shkaktojnë lumenjtë banesave mund të jenë të parikuperueshme.