Armando Broja, në dyshim për Shqipërinë
Trajneri i Totenhemit, Mauricio Poçetino nuk mund ta llogarisë ende Armando Brojën, pasi sulmuesi shqiptar ende nuk e ka marrë veten dhe vazhdon rikuperimin mjekësor, thuhet në raportin e Çellsit. “Armando Broja vazhdon të marrë trajtimin për dëmtimin në gju”, – thuhet në komunikatën zyrtare të klubit londinez.
Në fakt, ndeshja e fundit që Broja e luajti për “Blutë” e Londrës ishte 7 tetori, në fitoren 4-1 ndaj Bërnlit, teksa në pushim të ndeshjes u zëvendësua nga Poçetino, dhe, për pak, ai plotëson një muaj që nuk ka zbritur në fushë. Padyshim që rikthimi i tij ishte gradual dhe klubi anglez nuk u nxitua në asnjë moment, por ajo që mbetet disi mister është se Broja nuk po lë mbrapa shqetësimet që ka në gjurin e operuar. Ai mungoi në dy takimet që Kombëtarja luajti në muajin tetor, si edhe 3 ndeshjet e radhës me blutë, ndaj Arsenalit dhe Brentfordit në kampionat dhe Blekbërn Roversit në Kupën e Ligës Angleze.
Në fundjavë, Çelsi do të luajë derbin me Totenhemin, teksa nuk dihet nëse Broja do të jetë i gatshëm apo jo. Me këtë situatë dhe me kalimin e ditëve, mbeten fiks dy javë nga përballja e parë që Kombëtarja kuqezi do të luajë në Moldavi dhe këtu vihet në dyshim edhe pjesëmarrja e tij. Patjetër që 22-vjeçari pritet që të jetë në listën e Silvinjos për dy takimet e radhës, por nuk dihet nëse do të rrezikohet nga klubi i tij duke qenë se situata me gjurin është shqetësuese për momentin. Natyrisht pas një qëndrimi aq të gjatë jashtë fushave, rikthimi ka edhe disa probleme të vogla, derisa futbollisti të arrijë të kapë formën maksimale.