Armenia dhe Azerbajxhani bien dakord për normalizim të marrëdhënieve
Azerbajxhani dhe Armenia kanë rënë dakord të shkëmbejnë të burgosur dhe të punojnë sëbashku për normalizmin e marrëdhënieve si dhe arritjen e një marrëveshjeje paqeje që mund t’i japë fund konfliktit dhjetëra vjeçar mes tyre, një lëvizje kjo që u mirëprit nga SHBA dhe BE.
Në këmbim të dy anëtarëve të ushtrisë së tij që mbahen në burgjet armene, Azerbajxhani do të lirojë 32 robër lufte armenë.
Republika e Armenisë dhe ajo e Azerbajxhani ndajnë këndvështrimin se ekziston një mundësi historike për të arritur paqen e shumëpritur në rajon.
“Dy vendet rikonfirmojnë synimin për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të arritur një traktat paqeje mbi bazën e respektit për parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial”, shkruhet në një deklaratë të qeverive të të dy vendeve, ku gjithashtu bëhet e ditur se palët janë dakordësuar për ndërmarrjen e hapave drejt ndërtimit të besimit mes dy vendeve.
Prej dekadash, dy kombet fqinjë janë angazhuar në një konflikt për krahinën e Nagorno Karabakut. Në muajin shtator, Azerbajxhani rimori nën kontroll krahinën, pas ndërmarrjes së një sulmi atje. Ndërkombëtarisht Nagorno Karabak është konsideruar si pjesë e Azerbajxhanit, por ka qenë nën kontrollin e separatistëve armenë.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dy vendet kanë hyrë dy herë në luftë për atë krahinë.