Armëpushimi i përkohshëm hyn në ditën e dytë, më shumë pengje pritet të lirohen
Hamasi do të lirojë pengje të tjerë këtë të shtunë në këmbim të të burgosurve palestinezë, thanë zyrtarët.
Ky do të jetë shkëmbimi i dytë që kur një armëpushim katër-ditor hyri në fuqi të premten nga të dyja palët.
Të premten, ditën e parë të armëpushimit, Hamasi liroi 24 pengje. Ata përbëheshin nga 13 izraelitë, të gjithë ishin gra dhe fëmijë, duke përfshirë disa shtetas të dyfishtë, 10 tajlandez dhe një filipinas.
Izraeli nga ana e tij liroi 39 gra dhe fëmijë nga burgjet e tij.
Presidenti i SHBA, Joe Biden përshëndeti aksionin, ndërsa shpreson për zgjatjen e armëpushimit.
“Është vetëm një fillim, por deri tani ka ecur mirë. Unë mendoj se shanset janë reale për zgjatjen e armëpushimit”, tha ai.
Shkëmbimi i parë i së premtes pasdite përfshiu shkëmbimin e 39 të burgosurve palestinezë – 24 gra, duke përfshirë disa të dënuar për tentativë vrasjeje për sulme ndaj forcave izraelite dhe 15 adoleshentë të burgosur për vepra si gjuajtja e gurëve me 13 pengje izraelite,
Hamasi do të lirojë të paktën 50 nga rreth 240 pengje kryesisht izraelitë që ka mbajtur që nga fillimi i sulmeve në Izraelin jugor më 7 tetor, ku u vranë 1200 njerëz, kryesisht civilë. Në këmbim, Izraeli do të lirojë të paktën 150 të burgosur palestinezë dhe do të lejojë deri në 300 kamionë me ndihma humanitare në Gaza.