Arratisja e Daut Lazes nga burgu i Shënkollit, arrestohen 3 policë
![Daut Lazes nga burgu](https://i0.wp.com/www.rtsh-shkodra.live/wp-content/uploads/2025/02/Daut-Lazes-nga-burgu.jpg?fit=640%2C426&ssl=1)
Tre punonjës të burgut të Shënkollit në Lezhë janë arrestuar për shpërdorim detyre në lidhje me ngjarjen e një dite më parë (4 shkurt) kur i burgosuri Daut Laze arriti të arratisej.
Pjeter Ndoka, Mark Nikolli dhe Zhaneta Medha janë arrestuar nga Shërbimi i Brendshëm pasi, në momentin e arratisjes së Lazes kanë qenë në shërbim dhe nuk kanë përmbushur detyrat e përcaktuara me ligj.
Një ditë më parë 49-vjeçari Daut Laze ndërsa ndodhej në dhomën e mjekimeve të burgut të Lezhës, shfrytëzoi mundësinë për t’u arratisur.
Policia reagoi menjëherë pas ngjarjes duke vendosur shpërblim 10 mijë euro për këdo që jep informacione të vlefshme që çojnë në kapjen e autorit.
Laze u arrestua më 16 nëntor të vitit 2021 për dhunë në familje. Sipas informacione paraprake, ai vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Me vendimin nr. 528, datë 4 nëntor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte vendosur ndaj tij masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, sipas nenit 46 të Kodit Penal.