“Arrest me burg” gjobëvënësit / Gjykata e Lezhës lë në burg 46- vjeçarin Jetmir Llanaj

Gjykata e Lezhës ka lënë në arrest me burg 46- vjeçarin Jetmir Llanaj, i cili u paraqit para togave të zeza për vlerësimin e masës së sigurisë.
Llanaj akuzohet si pjesë e një grupi prej 5 personash që vendosnin gjoba tek bizneset në Kurbin.
Avokati i të pandehurit, Marash Ibraj, thotë se mbrojtja kundërshtoi dy kërkesat e Prokurorisë, por gjykata i pranoi.
Sipas hetimeve, rezulton se Llanaj përdorte dy të mitur dhe dy persona të tjerë, të cilët i dërgonte tek bizneset, për të përcjellë kërcënimet e tij për përfitim pasuror të pedrejtë.
Hetimet për këtë grup, nisën 3 muaj para arrestimit të tij, duke u mbajtur nën vëzhgim dhe përgjuar duke siguruar të gjitha provat.
Dy të miturit u kapën në flagrancë duke tentuar të merrnin një shumë parash tek një biznes dhe pas ndalimit të tyre si dhe të një 39- vjeçari në flagrancë, u realizua edhe operacioni për kapjen disa ditë më vonë të Jetmir Llanaj.