Arrestimet për armëmbajtje pa leje, Balla thirrje policisë: Rrisni vigjilencën
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me operacionet dhe arrestimet e bëra nga policia në orët e fundit për armëmbajtje pa leje.
Në një mesazh në rrjetin social Facebook, Balla thekson se ‘Sundimi i Ligjit’ po godet çdo ditë këtë fenomen. Mes të tjerash ai i ka dhënë një mesazh të qartë policisë, se kjo e fundit duhet të rrisë vigjilencën në këto ditë festash.
“Sundimi i Ligjit” po godet çdo ditë armëmbajtjen pa leje, një fenomen që mbetet një shembull i keq në sytë e publikut, një shpërfillje e rëndë ndaj ligjit dhe arrogancë e hapur ndaj shoqërisë sonë. Armëmbajtja pa leje është burim potencial i krimeve të rënda kundër personit”, shkruan Balla.
Duke përgëzuar Policinë e Mirditës për riorganizimin, hetimin serioz të ngjarjeve të rënda, ministri shkruan se, “Policia e Shtetit duhet të rrisë vigjilencën gjatë ditëve të festave, të bashkëpunojë me qytetarët, me qëllim që të parandalohen ngjarjet kriminale dhe që të mos cenohet atmosfera festive, nga episode të veprimeve të paligjshme”.
Policia ka ndaluar 14 persona dhe ka sekuestruar 14 armë zjarri dhe një sasi të konsiderueshme municione luftarak në Mirditë, Vlorë, Tiranë, Durrës, Berat, Kurbin dhe Shijak.