Arrestimi i Beqajt, SPAK: Kreu prokurime fiktive në të paktën 8 raste me fondet e BE

Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj akuzohet nga SPAK për prokurime fiktive në të paktën 8 raste në kohën kur ky ka qenë drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Me një deklaratë zyrtare, SPAK shprehet se Ilir Beqaj ka abuzuar me fondet e BE ku këto prokurime fiktive nuk kanë kaluar përmes një procedure të rregullt ligjore. Lidhur me abuzimet, SPAK thotë se Beqaj i ka kryer në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj, gjithashtu i arrestuar, i cili në atë periudhë drejtonte projektin EUSAIR pjesë e SASPAC përgjatë viteve 2022-2023.

“Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese. Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që iu janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumente këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Nga hetimet SPAK thotë rezulton se faturat dhe procedura fiktive bëheshin që paratë të përfundonin në xhepat e ish-ministrit Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulajt , duke sqaruar dhe se si veprohet nga ana e tyre. SPAK thotë se Beqaj dhe Kurtulaj i kanë kryer vetë këto shërbime si blerës direk duke përfituar të ardhurat në mënyrë të paligjshme.  

SPAK sqaron se shoqëritë tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti,  që edhe pse nuk figuronin në emër të Beqajt dhe Kurtulaj, ata ishin përfituesit fundor.

“Në lidhje me këto kontrata shërbimi është konstatuar:

Së pari: Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas  çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “L…… International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim G. H. dhe Drejtor Ekzekutiv personin nën hetim A. N. I vetmi shërbimi i ofruar në kuadër të këtij eventi nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, e cila është organizuar nga shoqëria tregtare “A….. F….. and H….. Lab” sh.p.k, njohur si restorant “G…..” në një vlerë prej 4.189.000 lekë.

Së dyti: Personat nën hetim i kanë kryer vetë shërbimet (me shpenzime shumë herë më të ulta) duke i prokuruar më pas tek persona të tjerë juridikë “N. S. Int” sh.p.k me Ortak e Administrator personin nën hetim E. M. dhe personin nën hetim B. Z.  për qëllime të përfitimit material;

Së treti: Shoqëritë tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti “G…….”, apo të kryera në formën e pagesave nëpërmjet personave fizik të tjerë, me qëllim përvetësimin fundor nga personat nën hetim I. B. dhe E. K.

Së katërti: Në rastet kur projektet e monituara nga SASPAC-u kanë prokuruar shërbime nën vlerën 2.500 euro, ku sipas rregullave “PRAG” realizohen vetëm me pranim fature, duke rezultuar vetë, si blerës direkt të shërbimeve me objekt shërbim kateringu ata kanë kryer veprime për fshehjen e përfituesit direkt.  Ata e kanë faturuar këtë shërbim tek persona fizik të tjerë me të njëjtin objekt veprimtarie, në një kohë që shërbimi është ofruar nga restorant “G…”. Këto veprime janë kryer me qëllim fshehjen e lidhjes së personave nën hetim I. B. e E. K. me restorantin “G…..””, njofton SPAK.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.