Categories: LajmePolitikë

Arrestimi i Berishës, Këshilli i Mandatave voton pro kërkesës së SPAK me 6 vota

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, vendosi të hënën me 6 vota pro që t’i japë autorizimin SPAK për arrestimin/heqjen e lirisë së ish- kryeministrit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë. Në fund të mbledhjes, kryeparlamentarja Lindita Nikolla theksoi se Këshilli do t’i paraqesë seancës plenare relacionin e mbledhjes për dhënien e autorizimit ndaj SPAK për arrestimin e deputetit Sali Berisha në seancën e datës 21 dhjetor. Relatore u caktua të jetë deputetja e PS, Klotilda Bushka.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin zhvilloi për gati 4 orë mbledhje në Kryesinë e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.

Mbledhja u drejtua nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ndërsa nga opozita mori pjesë vetëm deputeti Enkelejd Alibeaj. Në nisje të mbledhjes avokati i Berishës, Edmond Gjokutaj parashtroi një kërkesë, e cila tha ai “ka të bëjë me vijueshmërinë e seancës”.

“Në momentin që zhvillohet kjo seancë dëgjimi me këtë objekt, në Gjykatën Kushtetuese është depozituar kërkesa e 1/5 të deputetëve të Kuvendit, në datën 14 dhjetor, me objekt interpretimin përfundimtar të nenit 73, pika 2 të Kushtetutës, zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit me SPAK dhe GJKKO sa i takon çështjes së hedhjes dhe /ose kufizimit të lirisë së deputetit të Kuvendit, në çdo formë pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit dhe pezullimin e masave shtrënguese ndaj deputetit Sali Berisha”, u shpreh avokati.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi u shpreh se, “nuk ka asnjë bazë ligjore, procedurale, për të kërkuar këtë pezullim”.

Sa i përket kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Çuçi tha se, “nuk kërkoni pezullimin e procedurave parlamentare për dhënien e autorizimit. Pra, në kërkesën tuaj, nëse ishit kaq të interesuar mund t’i kishit kërkuar Gjykatës Kushtetuese dhe pezullimin e procedurës parlamentare për dhënien e autorizimit, deri në marrjen e vendimit që ju kërkoni, pra gjënë që po na e kërkoni ne”.

Çuçi nënvizoi se, nuk ka asnjë kusht ligjor dhe asnjë arsye për ta pezulluar këtë proces. Ndërsa deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj u shpreh që kërkesa e avokatëve të Berishës të mos pranohet.

“Është një ditë më parë se data e depozituar në Gjykatë Kushtetuese. Rruga ligjore dhe kushtetuese për ta diagnostikuar këtë virus është Gjykata Kushtetuese, deputetët ose avokatët o të paraqesin kërkesë të re ose të bëjnë një shtesë, unë jam me mendimin që kjo kërkesë të mos pranohet”, tha ai.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e hodhi në votim kërkesën e Gjokutajt, kërkesë e cila nuk u pranua nga anëtarët e pranishëm, duke vijuar mbledhjen.

Nikolla ia dha fjalën për paraqitjen e kërkesës prokurorit të SPAK, Arben Kraja. Ky i fundit sqaroi se “nga hetimet vlerësohet se është krijuar dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova se, personi në hetim Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, përgjatë periudhës kohore nga viti 2005 e në vijim ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familje ish-pronare, me qëllim kthimin dhe në vijim shfrytëzimin në sektorin ndërtimor të territoreve ku janë shtrirë ish-klubi shumësportësh ‘Partizani’ dhe ish-klubi i futbollit ‘Partizani’, ku përfitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi”.

Prokurori u shpreh se, Berisha është urdhëruar nga GJKKO të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00 para oficerit të policisë gjyqësore pranë SPAK si dhe është urdhëruar të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e Gjykatës dhe ndalimi i përdorimit të pasaportës dhe dokumenteve të tjera idetifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit.

Kraja shtoi se, duke mos qenë dakord me dy vendimet e mësipërme, nga ana e personit nën hetim dhe mbrojtësve të tij është ushtruar ankim. Apeli i GJKKO vendosi miratimin e vendimit të shkallës së parë të GJKKO.

Kraja u shpreh se referuar procesverbaleve të mbajtura nga OPGJ, para të cilit duhet të paraqitej Berisha, rezulton se ky i fundit nuk e ka zbatuar vendimin e gjykatës, duke mos u paraqitur asnjëherë përpara Policisë Gjyqësore.

Për këto arsye, vijoi Kraja, kërkojmë dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputeti Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, në atë të “Arrestit në burg/arrestit në shtëpi”.

Pas parashtrimit të prokurorit Kraja, mbledhja vijoi me pyetjet e deputetëve ndaj prokurorëve dhe avokatëve.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, gjatë fjalës së tij në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, rikonfirmoi edhe njëherë qëndrimin për të mbështetur organet e drejtësisë.

“Ne si Grup Parlamentar i Partisë Socialiste do të mbështesim çdo kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për autorizim të Kuvendit për heqje të imunitetit të kujtdo deputeti. SPAK është sot një nga institucionet më të besueshme në vend. Çdo kërkesë e SPAK, pavarësisht nëse deputeti është i majtë, i djathtë apo i asnjë krahu politik, do të gjejë mbështetjen tonë”, tha Çuçi.

Më tej, kreu i Grupit Parlamentar të PS, solli në vëmendje të Këshillit edhe qëndrimin e Komisionit të Venecias për raste të trajtimit të kërkesave të tilla për heqje të imunitetit të deputetëve në rast të një kërkese nga organet e drejtësisë. Çuçi pyeti gjithashtu avokatët mbrojtës të deputetit Sali Berisha nëse ka qenë qëndrimi i këtij të fundit për të mos respektuar vendimet e gjykatave apo ishte i këshilluar prej tyre.

Edhe deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj konfirmoi votën e tij pro dhënies së autorizimit ndaj SPAK, teksa kërkoi që të ketë zero imunitet për deputetët dhe hapje dhe mbështetje për SPAK.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Koçiu: Riparim i çatisë së spitalit të Pukës, vijon normalisht shërbimi ndaj qytetarëve

Në Spitalin e Pukës po punohet intensivisht për riparimin e çatisë, pas dëmtimit të shkaktuar…

2 hours ago

Java Botërore e Ndërgjegjësimit për Antibiotikët – Apel për të luftuar rezistencën antimikrobiale

Java botërore e ndërgjegjësimit për antibiotikët vjen me apelin për t’i përdorur vetëm kur janë…

2 hours ago

Turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët në Londër

Kryeministri Edi Rama zhvillon këtë të diel (24 nëntor) në Londër një takim me shqiptarët…

2 hours ago

Në kërkim për armë mbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari në Shkodër, përfundon në pranga edhe personi që e ndihmonte

Kontrolle të shtuara për kapjen e personave të shpallur në kërkim si dhe për parandalimin…

2 hours ago

Horoskopi për ditën e sotme, 24 nëntor 2024

DashiBëni kujdes në planin financiar, veçanërisht me sipërmarrjet e reja. Puna mund të ndihet paksa…

2 hours ago

Parashikimi i motit, e diel, 24 nëntor

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se për ditën e Diel vendi ynë do të ndikohet nga…

2 hours ago

This website uses cookies.