Arrestimi i ish-presidentit, ministri Hoxha: Meta kundërshtoi forcërisht, Policia kreu detyrën
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka reaguar publikisht për arrestimin e djeshëm të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe mënyrën se si u ekzekutua arrestimi i tij.
Hoxha deklaroi se efektivët e Forcës Lëvizëse Operacionale janë përballur me kundërshtinë e Metës dhe janë detyruar të kryejnë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.
Nxjerrja e Metës forcërisht nga automjeti me të cilin ky i fundit po udhëtonte, sipas ministrit Hoxha, krijoi shije jo të mirë në publik, por kjo shfaqje, theksoi ministri, nuk do ishte krijuar nëse ish-presidenti nuk do kundërshtonte forcërisht arrestimin.
“Për zbatimin e vendimit të Gjykatës u angazhuan efektivë të Forcës Lëvizëse Operacionale, forcë e posaçme e trajnuar dhe specializuar për të ndjekur protokollet standarde sipas rastit, dhe jo punonjës të Rendit, që është një forcë shërbimi ditor.
Ata fatkeqësisht u përballën me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të.
Kjo është zanafilla e ngjarjes dhe nga këtu fillon arsyetimi sipas protokollit, që Policia e Shtetit ndjek në ekzekutimin e një vendimi ndalimi.
Me këtë fakt lidhet edhe e gjithë shija, sigurisht jo e mirë e skenës që u krijua.
Nëse shtetasi Ilir Meta nuk do ta kishte kundërshtuar ekzekutimin e vendimit, dinamika e ngjarjes nuk do të kishte prodhuar asgjë tjetër, përveçse kalimin e qetë të tij, nga automjeti privat në automjetin e shoqërimit në Polici.
Nga ana tjetër, askush nuk e thotë dot, që ajo shfaqje e dhunshme kundërshtie, nuk do të kishte qenë e njëjta kudo tjetër, ku do të mund të bëhej ndalimi i tij.
Madje sipas analizës përgatitore të operacionit, në të tjera rrethana, rezultati mund të kishte qenë edhe më problematik për shijen e atyre, që mbrëmë e trajtuan Policinë si autore të një operacioni të dhunshëm”, deklaroi Hoxha.
Ministri sqaroi se në momentin që Policia e Shtetit merr një urdhër arresti, ka për detyrim të ndalojë personin e kërkuar, pa e lajmëruar dhe pa e ftuar.
“Dhe në fund, e shoh të nevojshme të nënvizoj një të vërtetë absolute dhe fare banale. Kur Policia e Shtetit, jo në Shqipëri, por kudo në botë, merr një urdhër arresti, nuk ka në dispozicion shumë opsione, por vetëm një: Të ndalojë personin e kërkuar dhe pikë. As mund ta lajmërojë, as mund ta ftojë dhe as mund të koordinojë me të, vendin dhe orën e ndalimit. Të gjitha këto nuk janë thjeshtë të pamundura, por janë vepër penale, që ndëshkohen me burg.
Pra, Policia e Shtetit dje kreu detyrën dhe u detyrua ta kryente duke përdorur forcën, për gjithë sa sqarova më lart, duke iu referuar dinamikës së ngjarjes, jo dëshirës, sesi do të kishte qenë më mirë të ndodhte apo të mos ndodhte”, theksoi ai.
Ish-presidenti i vendit, Ilir Meta u arrestua një ditë më parë në Tiranë me urdhër të SPAK.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg ndaj Ilir Metës dhe detyrim paraqitje për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.
SPAK bën të ditur akuzat e ngritura ndaj presidentit të partisë së Lirisë, Ilir Meta lidhur me aferën korruptive të zyrtarëve të shtetit në vendosjen dhe zbatimin e kontratës së shërbimit CEZ-DIA.
Meta akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.