Arrestimi i Metës, Demiraj: Mesazh për dorën e fuqishme të Ramës
Ish-presidenti Ilir Meta u paraqit sot në GJKKO për t’u njohur me masën e arrestit me burg, që Prokuroria e Posaçme e ka çmuar të nevojshme për tri akuzat që rëndojnë ndaj tij: korrupsion, pastrim i produkteve të veprës penale dhe mosdeklarim i pasurisë.
Bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, po ashtu po hetohet për akuza të ngjashme të kryera në koordinim me kryetarin e Partisë së Lirisë.
Esmeralda Demiraj, kryetarja e Forumit të Gruas në Partinë e Lirisë, komentoi në RTSH 24 deklaratat e koleges Kryemadhi, sipas së cilës bashkëshorti i saj nuk kishte gjithnjë dijeni për vendimet financiare që ajo ndërmerrte dhe për të cilat edhe ai po akuzohet.
“Analizat sociale të mentalitetit shqiptar se si është një çift shqiptar, çfarë duhet të bëjë një çift shqiptar dhe spekulimet se si duhet të jetë familja tradicionale dhe a duhet të ketë bashkëshorti a bashkëshortja për çdo veprim që kryhet, kjo nuk besoj se na takon neve. Ja që mund të ketë raste përjashtimore. Kështu kanë qenë edhe në politikë. Z. Meta ka deklaruar në mënyrë të prerë se është marrë me politikë dhe me anën financiare është marrë bashkëshortja, ndaj duhet marrë si një deklaratë e mirëqenë,” tha znj. Demiraj.
Partia e Lirisë e ka konsideruar përndjekje politike arrestimin dhe ndjekjen penale të çiftit Meta.
“Nga faktet që ka dosja ne kemi parë vetëm akuzat, jo deklaratat mbrojtëse të personave tashmë të akuzuar. Unë do vazhdoj ta konsideroj një proces politik në dy aspekte. Proces politik prej mënyrës si është arrestuar Meta, pse po hetohet ai dhe dëshira për ta mbajtur në këto kushte opozitën shqiptare. Për sa i përket procesit juridik është një betejë ligjore dhe luftë e madhe që çifti në fjalë do e përballë. Për sa i përket betejës politike, ne kemi dyshimin e arsyeshëm se politikisht po goditet edhe lideri tjetër i opozitës në Shqipëri që z. [Edi] Rama të gëzojë pushtetin suprem që ka,” deklaroi znj. Demiraj.