Arrestimi i shefit të komisariatit/ Salianji te “Siguria”: Policia u shërben kriminelëve, Balla dhe Rrumbullaku të vijnë në komision
Aksionet e muajve të fundit nga Policia e Shtetit në kuadër të goditjes ndaj krimit të organizuar, arrestimi i shefit të Komisariatit të Policisë së Kurbinit dhe video e publikuar nga opozita për atentatin e dështuar ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Shëngjinit më 14 maj, Salvador Kaçaj, kanë shkaktuar debate në mbledhjen e sotme të Komisionit të Sigurisë Kombëtare.
Deputeti demokrat Ervin Salianji ka kërkuar prezencën e Ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Tiranës, Muhamet Rrumbullakut në komision, për të dhënë përgjigje mbi pyetjet e opozitës, se përse policia e Shtetit kryen operacione për të kapur vetëm shërbëtorët e krimit dhe mbyll sytë para kriminelëve të vërtetë.
Referuar videos së bërë publike ditën e djeshme nga ish-kryeministri Sali Berisha mbi tentativën për atentat me armë ndaj Kaçajt, Salianji u shpreh se po i shkelet syri krimit, dhe se për këtë ngjarje nevojitet reagimi I institucioneve.
“Kërkoni të vij këtu, nëse s’ka frikë Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, se si në çdo operacion, kapen shërbëtorët.
U bë i disati rast ku shërbëtorë të krimit janë drejtues të lartë të policisë së shtetit.
Dje u kap shefi i komisariatit Kurbin, ndërkohë që Policia e Shtetit nuk zbaton dot urdhrat e arrestit për tre kriminelë të tjerë.
Në çdo rast, policia e shtetit po tregon se i shërben kriminelëve sepse e keni përfshirë ju policinë e shtetit për të mbledhur vota e për të ndarë pushtetin pas zgjedhjeve. Duhet të jeni të shqetësuar që policia e shtetit nuk reagon kur publikohet video kur një politikan i opozitës kërcënohet me armë në fushatë zgjedhore. Nuk ka reagim nga asnjë institucion, por I shkelni syrin krimit që të bëjë të njëjtën gjë në zgjedhjet e tjera. Kemi kërkuar ngritjen e komisionit hetimor sepse drejtues të policisë së shtetit kanë nxjerrë të dhëna dhe kanë ndërhyrë në sistemin TIMS dhe kanë cenuar sigurinë kombëtare më parë duke rrjedhur çdo e dhënë e qytetarëve shqiptarë”, tha Salianji.
Pas kërkesës së Salianjit dhe deputetëve të tjerë të opozitës për prezencën e Ballës në komision, Kryetari i komisionit, Nasip Naço u kërkoi deputetëve që të plotësojnë numri e nevojshëm prej 7 deputetësh që kërkesa e tyre të futet në rend dite.
“Në lidhje me kërkesat që bëni, ripërsërisni një kërkese që ju kanë kapur në gabim. Nga 7 deputetë mezi u bëtë 6. Kur të bëheni 7-të, çdo kërkesë do futet me përparësi në rendin e ditës”, tha Naço.