Arrestimi në Turqi i të shumëkërkuarit, Balla: Pandëshkueshmëria do të marrë fund
Ministri Brendshëm Taulant Balla, në një reagim në rrjetet sociale, duke komentuar arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Rexhepi, theksoi sot se forca e ligjit do të godasë mbi këdo.
“Pandëshkueshmëria do të marrë fund. Arrestimi i personit më të kërkuar nga drejtësia shqiptare Dritan Rexhepi, falë bashkëpunimit të shkëlqyer të një sërë agjencish ligjzbatuese nga disa vende partnere, është një rezultat i rëndësishëm”, u shpreh Balla.
Balla njoftoi se ditën e hënë do të takohet në Lion me drejtuesit më të lartë të Interpol për ta çuar në një nivel tjetër goditjen e krimit të organizuar.
Sot, ministri turk i brendshëm, Ali Yerlikaya, njoftoi se kreu i organizatës së drogës “Kompania Bello”, Dritan Rexhepi, është arrestuar në operacionin e emëruar “Kartel” në Istanbul
Rexhepi akuzohet për trafik kokaine, por edhe si pjesëmarrës në pengmarrje dhe vrasje. Ai ishte në kërkim nga Italia dhe Shqipëria, teksa mbante pasaporte false të Ekuadorit me emrin Benjamin Omar Perez Garcia. Rexhepi u arrestua gjatë një operacioni kundër kartelit të quajtur “Kompania Bello”, i cili transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë. Ndaj Rexhepit rëndojnë akuzat kohej për “vrasje me dashje”, “drogë”, “rrëmbim”, “falsifikim” dhe “armë e municione”.