Arrestohen dy shoferë të dehur / Procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas, 1 në kërkim, për vepra penale të ndryshme.
Policia rrugore vijon kontrollet për evidentimin e personave që drejtojnë makinën në gjendje te dehur, ku mesoset se në 24 orët e fundit janë vënë në pranga dy shtetas të moshës 63 dhe 66 vjeç, banues në Kaftallë dhe Kakarriq, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, se automjeti me drejtues shtetasin Z. N., 60 vjeç, kishte rënë në ujërat e lumit Fan, për shkak të humbjes së kontrollit mbi drejtimin e tij, policia njofton se janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për 60-vjeçarin, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Nga aksidenti është dëmtuar lehtë, djali i drejtuesit, shtetasi N. N., 24 vjeç, që ishte pasagjer në këtë automjet.
Nderkohë, policia e Shkodrës ka referuar materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 19 – vjeçar dhe një 26- vjeçar, të dy banues në Shkodër, pasi nga kontrollet fizike, iu gjetën dhe iu sekuestruan sasi të vogla lënde narkotike cannabis sativa.
Edhe një 59 vjeçar , banues në fshatin Luarzë, po ndiqet në gjendje të lirë, pasi nga kontrollet dhe verifikimet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, u konstatua se kishte ndërhyrje në matësit e energjisë elektrike, në banesat e këtyre shtetasve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe po punojnë për kapjen e shtetasit O. U., 25 vjeç, banues në Koplik, pasi ka bërë kallëzim një 40-vjeçar, se ky shtetas nuk i ka kthyer automjetin që i ka marrë.
Gjithashtu, një ngjarje tjetër është regjistruar rreth mesnatës, në fshatin Hot, dyshohet se, për shkak të defekteve, ka marrë flakë teksa lëvizte automjeti që drejtonte një 33 vjeçar . Si pasojë, ka vetëm dëme materiale në këtë automjet. Po punohet për të dokumentuar ligjërisht shkakun e këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.