Arrestohet 19-vjeçari me kanabis, sapo pa policinë Eraldo Ndreca tentoi të largohet me motor
Në vijim të kontrolleve që kryhen në të gjithë territorin e qarkut, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli 2”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në aksin rrugor Lezhë-Milot, i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të një motomjeti, i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por ka vazhduar me shpejtësi lëvizjen në drejtim të qytetit të Lezhës. Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, drejtuesi i automjetit, shtetasi Eraldo Ndreca është kapur dhe vënë në pranga. Pas kontrollit fizik, atij iu gjetën disa doza kanabisi.Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se ky shtetas nuk ishte i pajisur me leje drejtimi për motomjetin që përdorte për këtë veprimtari kriminale. Motomjeti pa targa dhe droga u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Eraldo Ndreca akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.