Arrestohet 25 – vjeçari, Florin Lushi ishte i shpallur në kërkim për plagosjen e Çel Shabaj
Në vijim të kontrolleve bazuar dhe në inteligjencën policore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kapën në fshatin Grudë e Re dhe ndaluan shtetasin Florin Lushi 25 vjeç, banues në fshatin Pult.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për plagosjen e 43- vjeçarit Çel Shabaj banues në Postribë.
Autori dhe i plagosuri me datë 13 Gusht kanë përplasur makinat në aksin rrugor të Prekalit në njësinë administrative Postribë.
Pas debatit me fjalë, autori ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar Çel Shabajn në këmbë duke e lënë të plagosur.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Policia njofton se vijojnë kërkimet për kapjen dhe të 2 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim, për këtë rast. Në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijojnë hetimet për të individualizuar përgjegjësinë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë ngjarje.