Arrestohet gruaja, në kërkim i shoqi / Policia sekuestron në Malësi të Madhe 13 kg kanabis sativa të tharë
Policia e Shkodrës vijon aksionet anti- kanabis në territorin e qarkut. Këtë të mërkurë, në përfundim të operacionit të koduar “Bratosh”, në Malësi të Madhe është vënë në pranga një shtetase 26 vjeçare, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëshorti i saj 29- vjeçar.
Sipas informacionit zyrtar të policisë, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve nga inteligjenca policore, për përshtatjen e një ambienti në fshatin Bratosh, për tharjen e bimëve narkotike, të siguruara në vijim të punës intensive anti-kannabis, ka nisur dhe është finalizuar me sukses ky operacion.
Nga kontrollet në ambientin në afërsi të baneses së çiftit të bashkëshortëve, të përshtatur për tharjen e bimëve narkotike cannabis sativa, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, mbi 13 kilogramë bimë/lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, në forma të ndryshme, në proces tharjeje.
Ndërsa gruaja tashmë është vënë në pranga dhe duhet të përgjigjet para drejtësisë, bashkëshorti është shpallur në kërkim policor.