Arrestohet i riu në Shkodër – Autoritetet spanjolle e kishin shpallur në kërkim për trafik droge
Një 36-vjeçar, në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle, është vënë në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 21”.
Në bashkëpunim me homologët spanjollë, i riu Spartak Suca u lokalizua dhe u arrestua në qytetin e Shkodrës.
Ai ishte në kërkim nga autoritetet spanjolle për akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjykata e Tarragonas, Spanjë, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Pas arrestimit, Interpol Tirana po bashkëpunon ngushtë me Interpol Madridin për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 36-vjeçarit drejt Spanjës, ku ai do të përballet me drejtësinë.