Arrestohet i shpalluri në kërkim, vihen në pranga dy shtetas, procedohen në gjendje të lirë dy të tjerë
Policia e Shkodrës ka arritur të prangosë një shtetas 33- vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim që nga viti 2020.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”.
Nga hetimet, dyshohet se më datë 08.01.2020, 33-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së një shtetasi ,duke shkaktuar vrasjen e një kafshe shtëpiake, që ishte në oborrin e banesës.
Ndërkohë, specialistët e policisë rrugore kanë arrestuar dhe një tjetër 33-vjeçar, banues në fshatin Dobër, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, për procedim në gjendje të lirë të një 17-vjeçari, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Përveç bluve të Shkodrës, në aksion kanë qenë dhe specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, të cilët referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 66- vjeçar, banues në fshatin Shelqet. Ky shtetas dyshohet se ka prerë një pemë që ka rënë mbi telat e energjisë elektrike, duke shkaktuar këputjen e tyre dhe lënien përkohësisht pa energji të banorëve të fshatit Shelqet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.