Arrestohet në Muriqan shtetasi polak / 48-vjeçari akuzohet për shitje online të substancave të rrezikshme për shëndetin
Punonjësit e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar në Muriqan kanë finalizuar operacionin policor të koduar “WEB Page”, për ndalimin e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.I ndaluari akuzohet për pjesëmarrje në një organizatë kriminale për shitje on line të substancave të rrezikshme për shëndetin. Policia bën të ditur se si rezultat i informacionit të siguruar nga intervistimi dhe verifikimet në dalje të Republikës së Shqipërisë, si dhe i shkëmbimit të tij ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Varshavës, me qëllim ndalimin e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan finalizuan operacionin policor të koduar “WEB Page”, gjatë të cilit u ndalua shtetasi polak G. (D.) 48 vjeç.Gjykata në Lublin i ka caktuar 48-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i substancave psikotrope dhe anabolizante”, kryer në kuadër të organizatës kriminale, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Polonisë. Për rreth 3 vjet (2018-2021), organizata kriminale në të cilën merrte pjesë shtetasi G. D. shiste online, pa pasur licencë, substanca të rrezikshme për shëndetin, të cilat nuk përmbushnin kriteret e cilësisë.Interpol Tirana dhe Interpol Varshava po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.