Arritjet me Antikorrupsionin, Xhafaj: Puna flet më shumë se çdo gjë
Lufta kundër korrupsionit është një nga shtyllat ku mbahet avancimi i Shqipërisë drejt rrugës në BE dhe së shpejti publiku vendas do të njihet me rezultatet e arritura deri tani.
Kryetari i Komisionit Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj, tha të martën se rezoluta e miratuar nga Kuvendi më 27 maj ka pasur ndikim të padiskutueshëm në vend.
Rezoluta adresoi tri prioritete dhe sfida kyç, që kishin si objektiv konsolidimin e demokracisë, rritjen e besimit qytetar dhe përshpejtimin e negociatave me BE.
“Mirëqeverisja, antikorrupsioni dhe sundimi i ligjit. Përkundër çdo kritike që s’ka munguar këto kohë dhe çdo kritizeri që ka folur edhe gjëra të paqena, ne jemi të bindur se është puna që ngelet e flet më shumë se çdo gjë.
Ne jemi në fazën e parë të hartimit të dokumentit analitik. Kemi një draft të parë në të tria fushat, duke u bazuar në vlerësimet, gjetjet dhe rekomandimet e shprehura në raportet e ndryshme të Bashkimit Europian, si edhe një sërë raportesh e dokumentesh zyrtare vendase dhe ndërkombëtare,” sqaroi z. Xhafaj.
Përmbledhjet e ekspertëve për këto tri fusha do të jenë të hapura për konsultim publik brenda pak javëve. Nga muaji nëntor e në vijim parashikohen edhe tryezat e para tematike publike për një sërë çështjesh të përcaktuara nga vetë ekspertët.
“Përgjithësisht për çdo komponentë të tri shtyllave do të ketë disa tryeza tematike, afërsisht rreth 12 të tilla, në të cilat moderimi dhe prezantimi i draftit dhe çështjeve do të bëhet nga vetë ekspertët që kanë punuar me të. Do të ftohet të marrin pjesë grupet e interesit, institucionet ligjzbatuese, përfaqësues të shoqërisë civile, komuniteti i biznesit etj.
Forumet e dialogut qytetar do të kenë në fokus çështjet e ndjeshme, si ato për nevojën për një qeverisje vendore më të mirë, çështjet që lidhen me parandalimin dhe luftën ndaj korrupsionit etj. forume këto që do të kryhen në nivel vendor dhe në qendrat universitare, në bashkëbisedim me pedagogët dhe studentët,” deklaroi z. Xhafaj në një bisedë të hapur me gazetarët.