“Arte dhe zeje në shkolla”, në Kukës zbatohet në tre shkolla të mesme dhe nëntëvjeçare
“Arte dhe zeje”, programi Kombëtar i Ministrisë së Arsimit po zbatohet në 200 shkolla. Në Kukës janë tre shkollat e përfshira në projekt i cili ka për qëllim nxitjen e nxënësve që të mësojnë artin dhe zejet përmes veprimtarive praktike.
“Është një nismë e qeverisë, e cila synon që të kultivojë talentet. Kemi 3 shkolla të përfshira, kanë klubet e tyre të artit, patjetër që ata punojnë që nxënësit të kultivojnë talentin e tyre, në fushën e pikturës, këngës dhe zejes”, u shpreh specialistja e arsimit Besjona Dunga.
Ky program pritet të përfshihet në të gjitha shkollat.
“Vitin që vjen do pilotohet edhe në shkolla të tjera, sepse është një tendencë për ta përhapur në të gjitha shkollat tjera si programe pas mësimit për të evidentuar apo zhvilluar më tej talentin e nxënësve”, shtoi ajo.
Edhe panairet në këtë drejtim kanë qenë disa.
“Punimet e nxënësve janë prezantuar edhe në panairët e zhvilluar vetë nga ZVA Kukës. Edhe vetë shkollat në ambientet e brendshme organizojnë panaire për të shfaqur punimet e nxënësve“, tha Dunga .
Aftësimi i nxënësve është synimi kryesor i programit arte dhe zeje.