Asambleja e Përgjithshme- Socialistët diskutime mbi riorganizimin e partisë, i paraprinë Kongresit të PS më 12 qershor
Partia Socialiste do të diskutojë sot (17 mars) në Asamblenë e Përgjithshme mbi kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të strukturave të partisë si dhe zgjedhjet e përgjithshme të 2025 dhe organizmit të tyre.
Diskutimet e Asamblesë së Përgjithshme dhe riorganizimit të partisë do të kulmojnë më 12 qershor ku do të mbahet edhe Kongresi i jashtëzakonshëm i PS, ku do të përcaktohen të gjitha strukturat drejtuese të partisë nga ato të njësive bazë deri te niveli më i lartë drejtues.
Në këtë Asamble parashikohet që socialistët të diskutojnë në 6 pika kryesore, raporton gazetarja e RTSH Denada Shkodrani, ku do të jetë kryeministri, njëhershëm kryesocialisti, Edi Rama që do të hapë mbledhjen duke iu drejtuar të gjithë pjesëmarrëseve. Më pas do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi që do të vijojë punimet dhe diskutimet duke bërë një pasqyrë mbi situatën.
Mbledhja zhvillohet në Durrës, ku në fokus do të jetë pikërisht rigjallërimi i kësaj partie me anëtarësimet e reja, ku kohët e fundit ka pasur një fushatë intensive nga socialistët. Një pjesë e këtyre anëtarësimeve të reja është ndjekur edhe nga vetë kryeministri Rama.
Më herët kryeministri Rama ka ngritur shqetësime jo vetëm për organizmin e PS por edhe për anëtarësimet e reja. Ai ka kërkuar që PS të jetë e hapur për të gjithë ata që e shohin këtë parti se u përketë të gjithëve.