Asambleja e re e PS, Rama zbulon njerëzit e fushatës për zgjedhjet e 2025
Nga faqja zyrtare e Partisë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, njoftoi anëtarësinë e partisë se të dielën e 8 shtatorit në një nga hotelet e qytetit të Durrësit do të mbahet Asambleja e re Kombëtare.
Asambleja mblidhet për herë të parë pasi u zgjodh në Kongresin e datës 28 korrik. Në rend dite do të ketë zgjedhjen e organeve drejtuese të PS, kryesinë dhe sekretarët e rinj socialistë.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se në rendin e ditës, pas fjalës së z. Klosi, Asamblesë do t’i adresohet kryetari Edi Rama. Fjala e tij përkon edhe me nisjen e punës në të gjitha institucionet politike të vendit, që janë disa muaj larg zgjedhjeve politike të vitit të ardhshëm.
Z. Rama do të tregojë jo vetëm disa nga shtyllat ku do të organizohet strategjia e socialistëve në zgjedhje, por edhe pritet të prezantojë ndryshimet në hartën emërore të partisë dhe qeverisë.
Zgjedhja e kryesisë së re të partisë pritet të jetë një tregues se cilët njerëz do të mbajnë peshën e drejtimit të fushatës elektorale.
A do të jenë socialistët e kupolës drejtuese të përfshirë edhe në fushatën elektorale, edhe në punën e qeverisë? Kryetari Rama nuk e ka për herë të parë hyrjen në fushatë elektorale me qeveri teknicienësh dhe me partinë të rreshtuar në fushën elektorale për të mbledhur sa më shumë vota.