Asambleja Parlamentare e KiE votoi pro anëtarësimit të Kosovës, Daçiq: Ditë turpi
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka reaguar pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që votoi pro anëtarësimit të Kosovës në KiE. Daçiq e ka konsideruar ditën e sotme si “ditë turpi”, teksa shkruan se Kosova nuk plotëson “as kërkesat themelore në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut”
“Sot është një ditë turpi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Për herë të parë në histori është rekomanduar anëtarësimi i diçkaje që nuk është shtet dhe që nuk i plotëson kushtet themelore në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha Daçiq.
Ai ka përmendur edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e konsideruar detyrim ndërkombëtar për Kosovën.
Me 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 abstenuan, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i ka dhënë dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës në KiE. Asambleja rrëzoi amendamentet e propozuara nga Serbia, ndërsa po ashtu u hodhën poshtë edhe amendamente që kërkonin formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe përpara se Kosova të anëtarësohej në KiE.
Pas votimit të kësaj të marte (16 prill), Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit në KiE, teksa çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës që pritet të vendosin përfundimisht në muajin maj nëse Kosova do të bëhet anëtare e organizatës.