Asani, goli më i bukur
Ishte një gol i rëndësishëm, që i hapi udhë një rezultati të jashtëzakonshëm, që, në fund, mund të rezultojë historik për Shqipërinë.
Goli i Jasir Asanit në ndeshjen Shqipëri-Poloni, është përzgjedhur si goli më i bukur i ndeshjeve të 5-ta të fazës së grupeve të Eliminatoreve të Evropianit “Gjermani 2024”. Në fakt, nuk kishte shumë dyshime se do të ishte ky gol, teksa edhe vetë UEFA pati reaguar me admirim në ditën e ndeshjes, ndërsa shumë tifozë e komentuan, duke e konsideruar edhe golin më të bukur deri më tani në këtë fushatë eliminatore.
Me këtë gol të shënuar, Asani zhbllokoi sfidën ndaj polakëve në Stadiumin “Arena kombëtare”, dhe, më pas, Mirlind Daku vuloste fitoren e kuqezinjve me rezultatin 2-0. Dhe organizmi që qeveris futbollin evropian e ka zyrtarizuar si fitues tashmë golin e Asanit.
Në fakt, Jasir Asani e fiton për herë të dytë këtë çmim, duke qenë se një gol të ngjashëm e ka shënuar edhe kundër Moldavisë në Tiranë. Fitues gjithashtu për çmimin si goli më i bukur, ka qenë edhe Kristjan Asllani, në fitoren ndaj Ishujve Faroe.