Asgjësohen 137 mijë bimë kanabisi, përgjatë 6 mujorit u arrestuan dhe proceduan 41 shtetas
Policia e Shkodrës ka ndërmarrë një megaoperacion për pastrimin e terrenit nga parcelat me kanabis duke asgjësuar 13 194 fidanë e bimë kanabis. Kjo fazë e megaoperacionit u zhvillua në zona me terren të vështirë ku ndërhyrja e forcave të Policisë u krye nga ajri me helikopterin e Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkaq, gjatë fazave të mëparshme të megaoperacionit “Territor i pastër”, përgjatë këtij 6-mujori, shërbimet e DVP Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë asgjësuar rreth 137140 fidanë e bimë narkotike cannabis sativa, si dhe kanë arrestuar dhe proceduar 41 shtetas. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër mbetet e përkushtuar në luftën kundër kultivimit të cannabisit dhe veprimtarive të tjera kriminale që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Policia e Shtetit inkurajon të gjithë qytetarët që të denoncojnë në njësitë fizike të Policisë dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie që ata hasin.