Asgjësohen rreth 120 kilogramë kanabis – Policia nis hetimet për identifikimin e shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të prodhimit të narkotikëve, kanë ushtruar kontroll në zonën për të cilën disponohej informacion, në vendin e quajtur “Shpati i malit”, në fshatin Karmë, ku kanë gjetur rreth 120kilogramë kanabis (bimë kanabis në proces tharjeje). Një pjesë e lëndës narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua në vendngjarje, me anë të djegies. Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme njofton policia.