Asllani titullar, Interi synon të çojë në +15 pikë diferencën me Juventusin
Humbja e Juventusit në Napoli është një mundësi e mirë për të rritur epërsinë në renditje dhe për t’u përgatitur për të festuar titullin përpara kohe. Sot në mbrëmje në “San Siro”, Interi do të synojë fitoren për të vazhduar serinë e sukseseve në vitin 2024 dhe për të çuar në +15 pikë diferencën ndaj bardhezinjve, të cilët aktualisht janë ndjekësit kryesorë, kur kanë mbetur edhe 11 ndeshje nga përfundimi i kampionatit.
Përballë zikaltërve do të jetë Genoa, e cila ishte skuadra e fundit që mbeti e pamposhtur ndaj skuadrës së Simone Inzaghit, pikërisht në ndeshjen e fundit të vitit të kaluar. Kaq mjafton për ta shtyrë trajnerin e kryesuesve të mbajë vigjilente skuadrën, pa hequr dorë nga rotacioni.
Interi e gjen sërish Thuramin, i rikthyer në grup dhe i disponueshëm nga pankina ndaj Genoas. Në skuadër rikthehen edhe Acerbi dhe Frattesi. Kundër kuqebluve do të ketë vend për Carlos Augusto (në vend të Bastonit të pezulluar) dhe Sanchez, të favorizuar ndaj Arnautovic për tiu bashkuar Lautaros në sulm. Asllani konfirmohet si regjisor në mesfushë, ndërsa Calhanoglu po punon për t’u rikthyer në ndeshjen kundër Bolonjës.