Asnjë rast në Shqipëri me gripin e shpendëve dhe murtajën afrikane, situata në monitorim
Sa herë dëgjohet të flitet për gripin e shpendëve, natyrshëm të vjen ndërmend rreziku serioz prej infektimit. Në fakt ekspertët mendojnë se ky virus kalon aksidentalisht tek njeriu por pa sjellë asnjë risk real për jetën.
Epidemiologu veterinar dhe njëkohësisht pedagog në Universitetin Bujqësor, Kujtim Mersini tha në një intervistë për RTSH-në se jo kushdo që ka simptoma gripi do të thotë se është prekur prej gripit të shpendëve.
“Simptomat janë të njëjta me gripin normal, por duhet të kemi parasysh që jo çdo njeri që ka simptoma gripi duhet të mendojë që është prekur nga gripi i shpendëve”, u shpreh Mersini.
Por cili është shqetësimi real?
“Gripi i shpendëve tashmë është kthyer në një sëmundje sezonale, pak a shumë e hasim nga fillimi i pranverës deri nga fundi i verës. Problemi nuk është kryesisht tek shëndeti i njeriut sesa tek dëmi që shkakton në ekonominë e shpendëve pasi ka një mortalitet të lartë”, tha ai.
Ndonëse aktualisht vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi nuk janë prekur nga murtaja afrikane e derrave, për profesor Mersinin problematika qëndron diku tjetër.
“Mbetet një problematikë e gjerë për sa i përket derrave të egër pasi ata nuk njohin kufinj dhe nuk kanë burokracinë e kalimit të një shteti në një shtet tjetër dhe kjo është një pjesë që ne duhet ta fuqizojmë”, theksoi Mersini.
Sipas epidemiologut veterinar, për murtajën afrikane të derrave nuk ka vaksinë të licensuar, çka do të thotë se ka vetëm dy mënyra, rritja e normës së biosigurisë nga fermerët dhe asgjësimi 100% i kafshëve në fermën që ka rënë sëmundja si e vetmja formë e minimizimit të përhapjes.