“Asociacioni të bëhet pa vonesa”/Tentativat për shtensionim të situatës,5 emisarët perëndimorë sjellin draft-statutin e ri
Për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pa dyshim se dita e djeshme (21 tetor) ishte mjaft e ngarkuar, pasi që ata pritën plot 5 diplomatë të shteteve të ndryshme të perëndimit.
Një ekip prej 5 vetave nënkuptohet se sa seriozisht SHBA dhe BE e dialogun Kosovë Serbi i cili për vite të tëra zhvillohet në Bruksel.
Si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, ata i kishin kërkesat e tyre, deeskalim i situatës, normalizim të raporteve, kthim në dialog, dhe zbatim të marrëveshjeve të arritura më parë, veçmas atë të 27 shkurtit dhe ujdinë e 18 marsit.
Të parin e takuan Kurtin në zyrën e tij, dhe pas kësaj emisari evropian foli para mediave.
Lajçak në Prishtinë para mediave tha se deeskalimi i gjendjes dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.
Duke folur pas një takimi të pesë diplomatëve të Perëndimit me Kurtin, Lajçak tha se “çfarëdo kushti dhe vonese për normalizimin është e papranueshme”.
“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajcak duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Ai theksoi se Kurti, si kryeministër i Kosovës, “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian”.
Lajçak ka përsëritur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet sa më shpejt.
“Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës” paralajmëroi Lajçak.
Pas takimit, zyra e Kurtit ka nxjerrë një komunkatë për media ku kanë treguar se çka u bisedua në këtë takim
Sipas ZKM-së shefi i Qeverisë i ka falënderuar dhe ka dhënë vlerësimet e tij për propozimin e ri perëndimor dhe për një gjë të tillë diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht.
Në këtë takim Kurti ka thënë se është e nevojshme që të ketë një reflektim cilësor dhe të ketë një qasje të re, referuar bisedës për normalizimin e raporteve përkatësisht zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne, si dhe zëvendës këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Alessandro Cattaneo.Kryeministri i falënderoi për vizitën e përbashkët. Ai theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje. Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Vlenë të theksohet se në këtë komunikatë ata nuk treguan saktësisht se iu është kërkuar që të procedojnë para me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Krahas gjitha këtyre deklarimeve si nga ana e Lajçak po ashtu edhe komunikata e Qeverisë, Kurti zgjodhi që në platforma sociale të shkruaj vetë edhe një herë për takimin që pati sot
Në një postim në ‘X’, Kurti ka thënë se në takimin me emisarët ka potencuar se pas sulmit terrorist siguria e kufirit të Kosovës është prioritet.
“Kam mirëpritur sot emisarët nga BE-ja, SHBA, Gjermanisë, Francës e Italisë. Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, me sponsorizimin dhe pjesëmarrjen e Serbisë – siguria e kufirit tonë ka përparësi. Në dialog nevojitet një qasje e re”, shkruan Kurti.
Kryeministri thekson se pesëshja e emisarëve ka prezantuar planin e tyre të ri për të ecur para.
“Falënderoj dhe vlerësoj 5 emisarët për planin e tyre të ri për të ecur përpara”, tha Kurti.
Pas kësaj, ata dolën edhe në Beograd, dhe emisari europian tha se rezultatet e vizitave të sotme do të iu dërgohen shefave të BE’së
Atje Lajçak, pas takimit që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd bashkë me katër kolegët e tjerë të tij, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në agjendën e takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE-së të hënën, si dhe njoftoi se për këtë do të diskutohet edhe nga liderët e BE-së më vonë gjatë javës së ardhshme në Këshillin Europian.
“Kjo vizitë do të ndikojë drejtpërdrejt në ato bisedime. Siç e kemi thënë shumë herë, nuk ka të ardhme europiane as për Serbinë, as për Kosovën, pa normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe zbatimin e marrëveshjeve të miratuara për normalizim, si ato aktuale ashtu edhe ato më herët që të shohim një rajon stabil, të begatë dhe europian të Ballkanit Perëndimor, prandaj dialogu është i një rëndësie vendimtare. Biseda jonë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti do të vazhdojë në ditët në vijim”, tha Lajçak në Beograd.
Sikurse në Prishtinë, Lajçak edhe në Beograd tregoi se temë e vizitës ishte përparimi në zbatimin e marrëveshjes për normalizim dhe deeskalimi i situatës, derisa ka potencuar se për sulmin terrorist të 24 shtatorit Serbia duhet të bashkëpunojë për t’i vënë para drejtësisë përgjegjësit.
“Dëshirojmë ta bëjmë të qartë se dënojmë fuqishëm sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator. Të gjithë autorët e sulmit duhet të sillen para drejtësisë dhe presim bashkëpunim të plotë të Serbisë në këtë drejtim”, tha Lajçak pas takimit.
Ai shtoi se liderët kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve të tyre dhe se si palët duhet të punojnë për deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.
“Ne ia kemi përcjellë atë mesazh presidentit Vuçiq. Serbia dhe Kosova kanë hyrë në marrëveshje të reja në shkurt dhe mars të këtij viti dhe presim që të dyja palët të fillojnë të përmbushin obligimet e tyre si nga marrëveshjet e reja ashtu edhe nga ato të vjetra”, tha Lajçak.
Për këtë çështje por shumë më shkurt, Lajçak shkroi edhe në rrjetin social X, pas takimit që pati me të dyja palët.
“Udhëtuam me Plotner, Escobar, Bone dhe Cattaneo për diskutime të rëndësishme dhe thelbësore me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbise. Ne theksuam se 24/9 [sulmi i Banjskës] duhet të hetohet plotësisht dhe se de-përshkallëzimi dhe normalizimi janë urgjentisht të nevojshëm. Ne presim që të dy të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre të Dialogut”, ka shkruar Lajçak.
Ata kanë paralajmëruar edhe takime të tjera me qëllim që të shtyjnë përpara dialogun Kosovë-Serbi.