Atentati i dështuar ndaj Trump, i dyshuari priti 12 orë ish-presidentin, akuzohet për armëmbajtje
Ryan Routh, i dyshuari që tentoi të vriste ish-Presidentin Donald Trump u akuzua për armëmbajtje. Ai doli para një gjykate federale në Florida një ditë pasi u arrestua për atentatin e dështuar ndaj kandidatit presidencial republikan. 58-vjeçari do të qëndrojë në masën e arrestit gjatë kohës që do të zhvillohen hetimet.
Kandidati republikan për president nuk u dëmtua fizikisht, ndërsa siguria e tij është përforcuar që nga atentati i 13 korrikut . Por incidenti ngre pikëpyetje se si dyshuari i armatosur arriti t’i afrohet aq shumë fushës së golfit të Trump në Florida.
Kjo ngjarje që vjen vetëm dy muaj pasi një tjetër person i armatosur e qëlloi ish-presidentin gjatë tubimit të tij në Pensilvani, duke e plagosur në vesh. Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, të dhënat telefonike tregojnë se i dyshuari mund të ketë qëndruar në pritje të Trumpit për gati 12 orë.
Ish-Presidenti 78-vjeçar fajësoi kreun e Shtëpisë së Bardhë Biden dhe kandidaten demokrate për presidente Kamala Harris lidhur me tentativën për atentatet ndaj tij. “Retorika e tyre po krijon nxitje që të qëllohet me armë ndaj meje. Jam unë ai që do t’i shpëtoj SHBA-të, ndërsa ata po e shkatërrojnë vendin si nga brenda edhe nga jashtë”- tha Trump për rrjetin e lajmeve Fox.
Ndërkohë presidenti Biden i kërkoi Kongresit të hënën që të miratojë më shumë fonde për FBI-në në javët e ardhshme, duke thënë se Shërbimi Sekret ka nevojë për më shumë ndihmë dhe ndoshta për më shumë personel.