Atentati me 4 të vrarë në Shkodër-Berisha: Viktima të krimit të mafias shtetërore
Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur fjalimin e tij nga ballkoni i banesës ku gjendet në arrest shtëpie, nga ku ka akuzuar mazhorancën e kryeministrit Rama për atentatin e Shkodrës ku mbetën të vrarë katër persona.
Ai ka akuzuar kryeministrin Rama, duke e cilësuar si përgjegjësin kryesor të përhapjes së krimit në vend, ndërsa theksoi se të vrarët në Shkodër janë viktima të krimit të mafias shtetërore.
“Mediat njoftuan se në spitalin e Shkodrës ndërroi jetë Bashkim Basha, babai i 3 fëmijëve, bashkëshorti i të ndjerës, Flutura Basha. Viktimë e masakrës së licencuar nga Edi Rama, narkopolicia e tij, për narkobandën, me qëllim që të terrorizoj Shkodrën dhe të grabisë mandatin e tij”, tha Berisha ndër të tjera.
Teksa kërkoi që të nderoheshin viktimat me një minutë heshtje, ai tha se “viktimat e këtij krimi” ishin “nga mafia shtetërore”.
“Zotimi ynë është një dhe vetëm një, mafia dhe terrori nuk do të na mposhtin kurrë. Përkundrazi gjithnjë e më me guxim do të ngrihemi të përballemi çdo ditë dhe kudo me ta”, tha Berisha.