Atentati ndaj Ramazan Mataj, pistë e re hetimi – Hetimet drejt problemeve personale, nuk përjashtohet as Belgjika
Pista kryesore në të cilën po heton policia për vrasjen e Ramazan Mataj një ditë më parë në Dragoç të Postrribës është një lidhje dashurie që 33-vjeçari ka patur.
Grupi hetimor, pas mbledhjes të provave në vendin e ngjarjes, ka arritur në konkluzionin se është qëlluar vetëm nga një autor, nga të dyja anët e makinës.
Siç duket, është siguruar për vrasjen e tij, ndërsa hetuesit kanë gjetur 14 gëzhoja në vendngjarje, plumbat e së cilave e kapur thuaje në të gjithe trupin.
Mendohet se autori i ka zënë pritë 1.2 km larg banesës së tij. Gjurmët e autorit janë ndjekur përmes një qeni policie që i ka çuar deri në një fare distance në gjurmët e autorit, ndërsa më pas ka qënë i vështirë gjurmimi për shkak edhe të kryqëzimeve të shumta që rruga ka patur.
Aparati celular i të riut është dërguar në laborator për t’u hapur dhe kjo është shpresa kryesore e hetuesve për të shkuar drejt një identifikimi të autorit apo autorëve të dyshuar.
33-vjeçari nuk kishte precedent të mëparshëm, por as lidhje dhe miqësi me anëtarë të grupeve të ndryshme kriminale.
Përveç pistës së problemeve personale, hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë e ndonjë konflikti në Belgjikë, por deri tani nuk ka ndonjë provë.
Po ashtu, as familjarët nuk kanë deklaruar konflikte, gjë e cila nuk ka ndikuar në hetime.